Prokuroria inicion rast ndaj personit përgjegjës, pasi punëtorët e ndërtimit s’kishin pajisje mbrojtëse në vendin e punës
Foto: Laura Hasani

Prokuroria inicion rast ndaj personit përgjegjës, pasi punëtorët e ndërtimit s’kishin pajisje mbrojtëse në vendin e punës

Kronika April 04, 2024 - 10:15

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme, sipas detyrës zyrtare, ka identifikuar një objekt në Hajvali, në të cilin po kryhen punime pa pajisje të nevojshme të sigurisë në vendin e punës, duke e vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Në vendin e ngjarjes ka dalë koordinatori për rastet e veprave penale që ndërlidhen me sigurinë në vendin e punës njëheri prokuror në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, prokurori kujdestar, Inspektorati i Punës dhe policia me njësitë përkatëse, ku nga vendi i ngjarjes kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e pasojave të mundshme gjatë punës dhe sigurinë në punë, si dhe parandalimin e veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

“Po ashtu, me urdhër të prokurorit të Shtetit është iniciuar rast ndaj personit përgjegjës si person juridik, në drejtim të veprës penale ‘Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës’, nga Neni 358 i KPRK-së, ndërsa me vendim të Inspektoratit të Punës janë ndaluar punimet në këtë objekt deri në një vendim të radhës”.

“Prokurori i Shtetit është i përkushtuar dhe do të vazhdojë që përmes bashkëpunimit me Inspektoratin e Punës dhe institucionet e tjera shtetërore të ndërmarrë veprime në saje të kompetencave ligjore, me qëllim të vetëdijesimit të punëdhënësve dhe edukimit të shoqërisë, si dhe parandalimit të veprave penale të kësaj natyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri