Arrestohet në veri një person për vjedhje identiteti, i kërkuar për vepra të rënda penale edhe nga INTERPOL-i
Foto: Zëri / Ilustrim

Arrestohet në veri një person për vjedhje identiteti, i kërkuar për vepra të rënda penale edhe nga INTERPOL-i

Kronika March 25, 2024 - 14:54

Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në veri të Mitrovicës, pas një pune intensive operative hetimore, kanë arrestuar një person të dyshuar për kryerje të veprave penale “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.

Në njoftimin për media thuhet se si rezultat i bashkëpunimit të njësive të lartcekura policore me zyrtarët kompetent të ARC-së dhe zhvillimit të punëve intensive, operative dhe hetimore në koordinim me prokurorin e Shtetit, më datën 22.03.2024, në Qendrën për Pajisje me Dokumente në Komunën e Zubin Potokut është arrestuar një person i dyshuar me të dhëna të rreme, i cili ka tentuar të pajiset me dokumente personale pasaportë dhe patentë shoferi.

“Personi i dyshuar (i njëjti), më datën 07.06.2013, përmes dokumenteve të falsifikuara, është regjistruar me të dhëna të rreme si D. B., i lindur në vitin 1980 në Mitrovicë si shtetas i Kosovës, ku edhe është pajisur me dokumente personale të RKS-së si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shoferi.

Ndërsa me datën 05.01.2024, personi i dyshuar me të dhënat e lartcekura është paraqitur për aplikim në Zubin Potok për të vazhduar afatet kohore të dokumenteve personale të Republikës së Kosovës, ku gjatë verifikimit të dokumenteve që i dyshuari NN i ka paraqitur me rastin e aplikimit, NJRHKEK - Mitrovicë e Veriut, ka ardhur deri te një dyshim i bazuar se i dyshuari NN ka marrë identitet të rremë si shtetas i RKS-së”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin me qëllim të vërtetimit të identitetit të saktë të personit të dyshuar, Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtarë për Zbatim të Ligjit – ILECU, përmes gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografive, ka pranuar raport nga Interpoli ku ka rezultuar se gjurmët e gishtërinjve përputhen me personin në arrati me iniciale G. S. (viti 1977) në Greqi.

“I njëjti nga INTERPOL-i i Greqisë kërkohet për disa vepra të rënda penale, si: ‘Krimi i organizuar’, ‘Grabitje’, ‘Detyrim’, ‘Lëndim të rëndë trupor’, ‘Dhënie e deklaratave false’, ‘Posedim ilegal të eksplozivit dhe mjeteve shpërthyese’” etj., ndërsa nga INTERPOL-i i Malit të Zi kërkohet për veprën penale ‘Lëndim i rëndë trupor’”, thuhet më tej në njoftim.

Lidhur me këtë rast është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarit i ka caktuar masën e ndalimit policor dhe pas masës së ndalimit policor, personit të dyshuar me vendim të gjykatës i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.