
Prishtinë: Një burrë dënohet me mbi tre vjet burgim për planifikimin e sulmeve kundër komunitetit LGBT
Gjykata Themelore e Prishtinës njoftoi të martën e ka dënuar me tri vjet e gjysmë burgim një burrë për planifikimin e sulmeve terroriste.
I pandehuri B.V., kishte planifikuar sulme në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT, dhe në pikën kufitare që lidh Kosovën me Serbinë, Merdar, me materie të rrezikshme dhe vdekjeprurëse, tha gjykata.
Gjykata tha se ai kishte marrë udhëzime nga një shtetas i huaj “Al Muhaxheri” përmes një aplikacionit për dërgimin e mesazheve, Threema “për krijimin e bombave artizanale apo materie eksplozive, për realizimin e planit të tij”.
Ai u arrestua në shkurt 2023 në pikëkalimin kufitar Hani i Elezit pas kthimit nga Arabia Saudite.
Ai ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës ndaj aktvendimit kundër tij.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Kosovës, rreth 30 shqiptarë të Kosovës janë pjesë e grupeve militante në Siri dhe Irak.
“Gjykata të akuzuarit B.V ia vazhdon masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Ai është dënuar edhe me gjobë prej 100 eurove në emër të shpenzimeve procedurale dhe shumën prej 100€ euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.
Sipas organizatës ndërkombëtare humanitare Human Rights Watch, në Kosovë vazhdojnë ende diskriminimi dhe kërcënimet ndaj personave të komunitetit LGBTI+ (lesbikë, gei, biseksual, transgjinor dhe ndërgjinor).
“Sipas organizatës lokale CEL, shumë persona të komunitetit LGBT u përballën me kërcënime, intimidim dhe dhunë nga familjarët e tyre më 2023, me përgjigje të dobëta nga autoritetet shtetërore kur raportonin ndonjë abuzim”, thuhet në raportin e kësaj organizate më 11 janar.
Njoftimi i plotë i Gjykatës, pa ndërhyrje:
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuait B.V, për shkak të veprës penale të rikualifikuar Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, nga neni 138 paragrafi 1 lidhur me veprën penale Trajnimi për terrorizëm, nga neni 133 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
I akuzuari B.V është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri (3) vite e gjashtë (6) muaj, koha e kaluar nën masën e paraburgimit nga data 21.02.2023, do të i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim.
Me aktvendim të veçantë PS.46/2023, të datës 05 mars 2024, gjykata konform nenit 366 paragrafi 1 pika 1.1 lidhur me paragrafin 3; 4; 5 dhe 6 të KPPRK-së, të akuzuarit B.V ia vazhdon masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin e Gjykatës Themelore Prishtinë.
Nga i akuzuari B.V konfiskohet shuma e të hollave prej 2500 €, si pasuri e specifikuar në aktakuzë të holla këto të dedikuara për furnizimin e materialit për kryerjen e akteve terroriste.
Obligohet i akuzuari që të paguajë shumën prej njëqind €uro (100 €) në emër të shpenzimeve procedurale dhe shumën prej njëqind €uro (100€) në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.
I akuzuari B.V në peridhën kohore disa mujore e deri në datën e arrestimit të tij me datë 21.02.2023, kishte bërë plane dhe ishte përgaditur për ndërmarrjën e sulmeve terroriste në Kosovë, në sheshin e Prishtinës ndaj pjesëtarëve të komunitetit LGBT dhe në pikën kufitare Merdarë me materie të rrezikshme dhe vdjekje prurëse për jetën e njerëzve në kombinim me Nitrat de Calcium, e të cilat në detaje ai i kishte shpalosur gjatë komunikimit të zhvilluar përmes aplikacionit Threema, nga profili ”Proxyal”, me një person me emrin “Al Muhaxheri – ( i huaj)” nga i cili kishte kërkuar udhëzime për krijimin e bombave artizanale apo materie eksplozive, për realizimin e planit të tij, e që me rastin e udhëtimit nga Arabia Saudite përmes Aeroportit të Shkupit për në Kosovë, me rastin e ndalimit dhe kontrollit në pikën kufiatare Hani i Elezit, i njëjti ishte arrestuar nga Policia e Kosovës DKT në Prishtinë.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Zëri