Aksidenti me fatalitet në Prishtinë, kërkohet paraburgim për shoferen
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se prokurori ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës, e cila të hënën shkaktoi një aksident trafiku me fatalitet.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurës për shkak të veprës penale ‘Rrezikim i trafikut publik me fatalitet’”, ka thënë Ulaj për Telegrafin.
Të hënën në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë ndodhi një aksident trafiku me pasoja fatale.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka vdekur.
Vdekjen e tij e kishte konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje.