Vdekja e këmbësorit te Ministria e Arsimit, Policia jep detaje
Një këmbësor ka humbur jetën mesditën e sotme në Prishtinë, pasi është goditur nga një veturë.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për Zeri.info se për shkak të plagëve të marra, këmbësori nuk ka arritur të mbijetojë dhe ka vdekur në vendin ku ka ndodhur aksidenti.
“Sot rreth orës 12:40 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një këmbësor dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje”, ka treguar Ahmeti për Zeri.info.
Tutje, ajo ka bërë të ditur se tashmë është shoqëruar në Polici ngasësja e veturës.
“Aktualisht Policia ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit është shoqëruar në stacion policor”, tha Ahmeti. /Zëri