Avokatët e shoferit që e goditi me veturë burrin e Shkurte Fejzës: E bëri pa qëllim, ia konfiskuan telefonin në mënyrë joligjore

Avokatët e shoferit që e goditi me veturë burrin e Shkurte Fejzës: E bëri pa qëllim, ia konfiskuan telefonin në mënyrë joligjore

Kronika February 25, 2024 - 18:01

Hajrush Behluli, bashkëshorti i këngëtares Shkurte Fejza të premten u godit nga një veturë në rrugën “Adem Jashari” në Prizren. Lajmi u bë veçanërisht i rëndësishëm pasi aksidenti ndodhi pak ditë pasi ai në një reagim i tha “shpirtshitur” hoxhës Shefqet Krasniqi, i cili tha se këngëtarja nuk është shumë fetare dhe se asaj po i afrohej vdekja.

Shoferi i ka angazhuar dy avokatë, Gent dhe Blend Gjinin, të cilët në një prononcim për Gazetën Express thanë se klientit të tyre i është konfiskuar telefoni, një praktikë joligjore për rastin, sipas tyre.

“Me të marr çështjen penale ne jemi befasuar me një situatë që konsiderojmë se shkel dispozitat procedurale penale, në rastin e trajtimit të kësaj çështjeje, kur të mbrojturit tonë i është konfiskuar telefoni mobil e që në anën tjetër vepra penale bën fjalë për shkaktim te aksidentit në komunikacion. T’i merret telefoni dhe t’i konfiskohet përkohësisht, kjo për neve mbrojtjen është e papranuar dhe është joligjore”, thanë avokatët në një përgjigje me shkrim.

“Në procedurat e mëtejme presim që këtë çështje ta ngrisim në formë të ankesës për të vlerësuar se a është vepruar drejt dhe a ka pasur të drejtë të i merret telefoni celular shkaktuesit të aksidentit dhe të kuptohet se çka ka të bëjë çështja e aksidentit me telefon. Pra, ky është rast i paprecedent dhe kur më parë në çështjet penale që kemi përfaqësuar raste të asksidetenteve në trafik ligji dhe praktika gjyqësore nuk e parasheh një mundësi të tillë”, thuhet tutje në përgjigjen e avokatëve.

Avokatët thonë se klienti i tyre nuk kishte “kurrëfarë motivi” për shkaktimin e këtij aksidenti. Gent dhe Blend Gjini thonë se disa analistë aluduan “pa asnjë argument apo fakt” se aksidenti ishte i qëllimshëm.

“Pasi kjo çështje është përfolur në media dhe është trajtuar si temë nga me të ndryshmet duke e ndërlidhur rastin e një fjalimi te hoxhës Shefqet Krasniqi për këngëtaren Shkurte Fejza, në shprehim shqetësimet nga disa analistë që kanë ndërlidhur dhe shfrytëzuar ngjarjen e aksidentit si diçka e qëllimshme. Pra, kjo për neve avokatëve është shqetësim në vete dhe kjo aspak nuk qëndron sepse ngjarja si e tillë nga shkaktuesi i aksidentit ka qenë e paqëllimshme dhe pa kurrfarë motivi dhe thjeshtë ka qenë një pakujdesi si ngjarje të zakonshme që ndodhin sot në komunikacion. Andaj ne shprehim shqetësimet për mënyrën e trajtimit të kësaj ngjarje nga disa analistë vetëm e vetëm për ta vendosur qendrën e vëmendjes dhe të luajnë rolin e “hetuesit” pa qenë të thirrur dhe pa pasur asnjë argument apo fakt lëshojnë këso deklarata të pamatura”, thuhet në përgjigjen e avokatëve.

Avokatët thonë se “do të shikojmë në procedurat e mëtejme penale për zbardhjen e rastit, për të kuptuar se në çfarë përmasash mund të jetë fajtor i mbrojturi ynë”. Ata thonë se do të mësojnë faktin “se a ka qenë i pakujdesshëm këmbësori kur ka dal në rrugë”, pasi shtojnë se “aty nuk ka pasur vendkalim për këmbësorë apo zebra”.