U gjet e vdekur në shiritin emergjent të autostradës, Prokuroria nis hetimet për rastin e shtetases ukrainase
Foto: Laura Hasani

U gjet e vdekur në shiritin emergjent të autostradës, Prokuroria nis hetimet për rastin e shtetases ukrainase

Kronika February 22, 2024 - 12:17

Prokuroria Themelore e Ferizajt ka nisur hetimet lidhur me rastin e shtetases ukrainase, e cila u gjet e vdekur mbrëmë në shiritin emergjent të autostradës Ferizaj – Prishtinë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Aksident trafiku me fatalitet”.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se më 21.02.2024, në autostradën Ferizaj-Prishtinë, rreth orës 19:30, është gjetur pa shenja jete një person-shtetase e huaj (ukrainase) me iniciale O.K. Hetuesit rajonalë të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe nga ekipi mjekësor është konstatuar vdekja e saj. Prokuroria me të gjitha institucionet e tjera relevante janë duke punuar për zbardhjen e rrethanave të kësaj vdekjeje dhe rasti është duke u hetuar në drejtim të veprës penale ‘Aksident trafiku’ me fatalitet. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë”, u njoftua nga Prokuroria.

Ndryshe, rastin e ka konfirmuar sot Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh.

“Patrulla policore gjatë patrullimit, në rrugë-autostradë kanë hasur ne një trup të pajetë të një viktime femër-shtetase e huaj. Njësitet relevante policore, prokurori dhe ekipi mjekësor kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar vdekja e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti ne procedure hetimore”.