Arrestohet në Kosovë njëri nga vëllezërit Avdyli, i akuzuar për vrasje në Norvegji

Arrestohet në Kosovë njëri nga vëllezërit Avdyli, i akuzuar për vrasje në Norvegji

Kronika February 21, 2024 - 12:07

Policia e Kosovës ka arrestuar në Ferizaj shtetasin kosovar me inicialet V.A., që ishte i kërkuar me udhër arresti ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të Policisë, 35-vjeçari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet norvegjeze për veprën penale “Vrasje”, e kryer në Oslo më 07.10.2021.

“Personi i arrestuar, përveç shtetësisë kosovare posedon edhe shtetësi norvegjeze, ndërsa në momentin e arrestimit të njëjtit i është gjetur një armë zjarri, si dhe disa pasaporta të shteteve të tjera, të cilat me gjasë janë të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndaj personit të arrestuar do të vazhdojnë procedurat e parapara për raste të tilla.

Raportohet se i arrestuari është njëri nga vëllezërit Avdyli që më herët ishin burgosur për terrorizëm, e të cilët akuzohen për vrasjen e Hamse Hashi Adan, 20 vjeç në Mortensrud, lagje kjo në Oslo të Norvegjisë.

Valon dhe Visar Avdyli, 32 dhe 35-vjeçar, ishin duke u kërkuar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me policinë norvegjeze për t’u arrestuar.

Kujtojmë se gjatë 7 tetorit, Hamse Hashi Adan u qëllua, derisa po qëndronte me disa persona tjerë para shkollës Lofsrud në Mortensrud. Të nesërmen Hamse Hashi Adan, 20-vjeçar, vdiq nga plagët e marra.