Arrestohet një zyrtar policor, voziti në gjendje të dehur dhe u përfshi në një aksident trafiku
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor, pasi dyshohet që i njëjti të ketë vozitur nën ndikimin e alkoolit dhe është përfshirë në një aksident.
IPK-ja, përmes një komunikate për media, njofton se polici ka qenë jashtë detyrës zyrtare dhe është përfshirë në një aksident me veturën e tij private dje në fshatin Novosellë të Pejës, raporton Zeri.info.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë pranuar një informacion nga Policia e Kosovës dje në orët e mbrëmjes përmes Linjës së Kaltër (numri i telefonit pa pagesë 080003333) lidhur me një aksident trafiku më lëndime trupore në mes dy automjeteve civile ku ishte përfshirë edhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare me veturë private), thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve fillestare që kanë kryer hetuesit e IPK-së, aksidenti është raportuar të ketë ndodhur dje në fshatin Novosellë të Pejës [në afërsi të terminalit doganor].
Si pjesë e procedurës administrative hetimore, zyrtari policor është suspenduar nga puna, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Ngasja në gjendje të paaftë ose të dehur”. /Zëri