E zë orteku, humb jetën një shtetase e huaj në Brezovicë
Pasditen e sotme një shtetase e huaj ka ndërruar jetë në qendrën e skijimit në Brezovicë.
Sipas Policisë së Kosovës, bëhet fjalë për një grua rreth 54-vjeçare dhe se shkaku dyshohet të ketë qenë rrëshqitja e një orteku të borës.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, ka konfirmuar për Zeri.info, se rasti ka ndodhur te vendi i quajtur “Foleja e Shqiponjës”.
“Më datë 13.02.2024, rreth orës 15:35, kemi marrë një informacion se një person ka mbetur i vdekur gjatë skijimit në Qendrën e Skijimit në Brezovicë, në vendin e quajtur “Foleja e Shqiponjës”. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku. Dyshohet se shkak i këtij incidenti ka qenë rrëshqitja e një orteku të borës”, ka treguar Veseli për Zeri.info.
Ai ka thënë se sikurse ekipet e Policisë ashtu edhe ato të kërkim-shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.
Ndërkohë edhe Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar se kanë marrë një thirrje për ndihmë nga patrulla e skijimit në Brezovicë për një aksident orteku.
Shpëtuesit thonë se bashkë me patrullën e kanë lokalizuar vetëaksidentin dhe janë duke zhvilluar operacionin e kërkim shpëtimit.
“Sapo kemi pranuar një thirrje për ndihmë nga Patrolla e skijimit në Brezovicë, për një aksident orteku. Shpëtuesit tanë së bashku me Patrollën e Skijimit në Brezovicë e kan lokalizuar vendaksidentin dhe janë duke e zhvilluar operacionin e Kërkim-Shpëtimit”, thuhet në njoftim. /Zëri