Reagon Balla pas ngjarjes së rëndë në Kamëz: Asnjë justifikim ndaj dhunës
Ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Taulant Balla, ka reaguar për rastin e rëndë të vetëvrasjes së 27-vjeçares në Kamëz, pasi dyshohet se ajo ishte shantazhuar nga një foto intime e hedhur në rrjetet sociale.
Një ditë më parë një grua i dha fund jetës, ndërsa 39-vjeçari, Altin Çoku është arrestuar me akuzën se me veprimet e tij ka shtyrë të renë drejt vetëvrasjes.
Në reagimin e tij Balla ka theksuar se duhet të miratohen sa më parë ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës online.
“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetasje. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt”, ka shkruar Balla.
“Asnjë justifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund”, ka përfunduar Balla, pas ngjarjes së rëndë në Kamëz. /Zëri