Prokuroria dhe Policia nisin hetimet për grafitet provokuese në komunat veriore
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, në komunat veriore u panë grafite të reja me mesazhin “Kur të kthehet ushtria në Kosovë, Brigada e Veriut jeton”.
Këto grafite ishin shkruar në objekte të ndryshme në veri të Mitrovicës, Leposaviq, Zubin Potok e Zveçan.
Lidhur me këtë rast, nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës kanë deklaruar se rastet janë cilësuar si “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”.
Kështu është shprehur zëdhënësi i kësaj prokurorie, Valon Preteni.
“Është njoftuar prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë,s e në Zubin Potok, Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq janë hasur disa grafite çirilicë në disa vende të ndryshme nëpër këto qytete. Prokurori ka kualifikuar si “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, rasti është duke u hetuar në koordinim me policinë e Kosovës”, ka thënë Preteni për Telegrafin.
Ndërkaq Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se shkrimi i këtyre grafiteve kishte ndodhur gjatë natës nga persona të panjohur dhe se rastet janë duke u hetuar.
“Raportohet se persona të panjohur gjatë natës në disa lokacione kanë shkruar grafite me përmbajtje të përçarjes dhe nxitjes së urrejtjes ndër etnike. Rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar policia.
Këto grafite siç duket janë shkruar nga “Brigada e Veriut” e cila nga Qeveria e Kosovës është shpallur organizatë terroriste së bashku me organizatën tjetër të ashtuquajtur “Mbrojtja Civile”.