Kërkohet dënim i merituar për të akuzuarin në rastin e gazetarit Selimi

Kërkohet dënim i merituar për të akuzuarin në rastin e gazetarit Selimi

Kronika February 12, 2024 - 09:45

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, është mbajtur fjala përfundimtare ndaj të akuzuarit Arsim Limani, i dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë ndaj gazetarit, Alban Selimi.

Nga Prokuroria e Shtetit kanë thënë se tashmë është vërtetuar se i akuzuari, Arsim Limani ka kryer veprën penale vrasje e rëndë në tentativë.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

"Pas procedurës së provave, me analizimin dhe vlerësimin e provave të pranuara padyshim është vërtetuar se tash i akuzuari, Arsim Limani e ka kryer veprën penale vrasje e rënë në tentativë dhe nga kjo prokuroria i propozon gjykatës që të akuzuarin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit. Dhe se me rastin e caktimit dhe lartësisë së dënimit që të merr parasysh dëshmitarët që kanë qenë të propozuar në procedurë dhe që kanë qenë në seancë dhe që të akuzuarit t’i shqiptojë dënimin adekuat", tha ajo, raporton rtklive.

Në anën tjetër, Kujtim Kerveshi, avokati mbrojtës i gazetarit, ka thënë se me vënien e zjarrit i akuzuari kishte për qëllim ta ndalojë atë në kryerjen e punës së gazetarit.

Ndërsa, i dëmtuari Alban Selimi, tha se i akuzuari është një recedivist me të kaluar kriminale dhe se gjykata nuk duhet që ta pranojë pendesën e tij pasi ajo nuk është e sinqertë.

Ai tha se me këtë sulm i akuzuari ka dashur që të ju marrë jetën atij dhe familjes së tij dhe se ky sulm i ka ndryshuar jetën atij dhe familjes së tij.

“Unë tashmë kam hyrë në dekadën e tretë të punës time si gazetar hulumtues dhe redaktor i redaksisë hulumtuese dhe kjo ka qenë ndër ngjarjet më të rënda të përjetuara në karrierën time, pavarësisht rreziqeve nëpër të cilat kam kaluar, duke trajtuar tema mjaft sfiduese dhe sensitive në interes të publikut. Asnjëherë nuk kam heshtur kundrejt krimit të organizuar, falsifikimeve, fajdeve, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore, keqpërdorimeve me tenderë, drogës dhe dukurive tjera që kanë cenuar shoqërinë tonë demokratike. Për këtë, puna ime si gazetar hulumtues është shpërblyer më shumë se dhjetë herë me çmimet më të larta”, tha Selimi, duke shtuar se shpreson që askush të mos e përjetojë flakën në shtëpinë e tij.

Mbrojtësi i të akuzuarit, Fanol Krasniqi, tha se rasti është i ndikuar kryekëput nga mediat.

Ndërkaq, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Medie Bytyqi tha se shpallja e vendimit do të mbahet me 15 shkurt në orën 11:30 minuta, duke shtuar se prezenca nuk është e obliguar.

Image