Policia jep detaje nga djegia e ndërtesës në Ferizaj ku u lënduan 10 persona
Dhjetë persona janë lënduar të dielën, pasi zjarri ka përfshirë një ndërtesë kolektive.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli ka thënë se rasti ka ndodhur rreth orës 22:28, ndërsa dyshohet se ka pasur problem me njehsorët elektrik.
“Me datë 11.02.2024 rreth orës 22:28 kemi pranuar një informatë se në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj tek një objekt banesor është një incident zjarri. Ekipe të policisë, zjarrfikësit dhe ekipe të emergjencave kanë dalë në vendin e ngjarjes. Për pasojë e këtij incidenti të zjarrit, ndihmë mjekësore në Qendrën Emergjente kanë kërkuar 10 persona, ndërsa prej tyre 5 persona për tretman të mëtutjeshëm janë transportuar në QKUK -Prishtinë”, theksoi ai.
Më tej, Veseli deklaroi se policia i ka marrë të gjitha masat e nevojshme, duke i evakuuar banorët për shkak të tymit të krijuar.
“Zjarri dyshohet se ka filluar tek njehsorët elektrik të kësaj ndërtese, ndërsa janë njoftuar edhe ekipe të KEDS-it të cilët kanë dalë gjithashtu në vendin e ngjarjes”, u shpreh tutje ai për Telegrafin.
Veseli theksoi se tashmë Njësia e Hetimeve në koordinim me prokurorin kujdestar ka filluar hetimet se si ka ardhur deri te ky incident.