Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për veprat penale “mashtrim” dhe “shantazh”
Foto: Laura Hasani

Kërkohet paraburgim ndaj një të dyshuari për veprat penale “mashtrim” dhe “shantazh”

Kronika February 01, 2024 - 16:27

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Gjakovë, ndaj të pandehurit me inicialet A.B., i cili dyshohet për “Mashtrim” dhe “Shantazh”.

Sipas njoftimit të Prokurorisë thuhet se, i pandehuri e mashtroi të dëmtuarën A.H., duke iu prezantuar si person me aftësi fetare shëruese dhe iu mori 10 mijë franga për kinse shërimin e vajzës së saj, raporton Zeri.info.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, i pandehuri A.B., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore përmes paraqitjes së rreme të fakteve, e mashtron dhe e vë në lajthim personin tjetër, duke e nxitur të veprojë në dëm të pasurisë së saj dhe atë të dëmtuarën A.H., në atë mënyrë që pasi e dëmtuara e kishte vajzën e sëmurë, e njëjta bie në kontakt me të pandehurin dhe prezantohet si person me aftësi fetare shëruese. Në emër të këtij shërimi e dëmtuara i dërgon vazhdimishtë të holla përmes agjencionit të transfereve në shumën prej 10,000.00 Franga”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Po ashtu sipas njoftimit bëhet e ditur se i pandehuri e kanos të dëmtuarën se do ta zbulojë lidhjen e tyre jashtëmartesore dhe i kërkon para, e pasi që ajo refuzon, i pandehuri ia dërgon fotot dhe videot bashkëshortit të viktimës.

“Gjithashtu i pandehuri me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e kanos personin, se do të zbulojë lidhjen e tyre jashtëmartesore, dhe për këtë i kërkon të holla duke e tërhequr pensionin e Zvicrës dhe të ja sjellë të pandehurit.  Kur e dëmtuara kupton se është viktimë e mashtrimit dhe refuzon t’i dërgojë më të holla, i pandehuri, me llogari falso, i dërgon të gjitha fotot dhe videot bashkëshortit të saj, përmes rrjetit social Facebook”, thuhet në njoftim.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 1 i KPRK-së, si dhe veprën penale “Shantazhi” nga neni 329, paragrafi 2 i KPRK-së. /Zëri