Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari për vrasjen e vjehrrit me thikë
Para pak minutash është vetëdorëzuar në Polici Edon Bujupi, i dyshuar për vrasjen e vjehrrit A.K. me thikë.
Lajmin e kanë konfirmuar burime të “Betimi për Drejtësi”.
Kurse Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës, ka thënë se po kryhen procedurat e nevojshme ndaj të dyshuarit.
“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme është siguruar prezenca e personit të dyshuar për vrasjen që ka ndodhur më 29.11.2023, në lagjen ‘Emshir’ në Prishtinë. Ndaj të dyshuarit E.B. mashkull po kryhen procedurat e nevojshme policore”, konfirmoi Ahmeti.
Ndryshe, të mërkurën mbrëma Policia njoftoi se në rrugën “Ali Vitia” në Prishtinë, një person theri me thikë babanë e bashkëshortes.
Në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës u bë e ditur se viktima nuk ka mundur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka vdekur në QKUK.
“Dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, i dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar - therur me thikë babanë e bashkëshortes së tij (vjehrrin), viktimën mashkull kosovar, i cili duke mos u përballuar plagëve të marra, ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e të cilit e ka konfirmuar mjeku”, thuhej në raport.
Po ashtu, Policia bëri të ditur se me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.