Shpërthim në veri të Mitrovicës, nuk dihen autorët
Foto: Ilustrim

Shpërthim në veri të Mitrovicës, nuk dihen autorët

Kronika November 26, 2023 - 23:04

Pak minuta pas mesnatës së ditës së shtune në rrugën "Perandori Dushan”, në qendër të Mitrovicës Veriore është dëgjuar një shpërthim. Policia e Kosovës bënë me diej se nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar përpos dëme të vogla materiale. Njohës të fushës së sigurisë mendojnë se këso shpërthime të izoluara janë pakënaqësi e strukturave kriminale me praninë e Policisë së Kosovës, e po ashtu po përdoren për konsum të brendshëm politik para zgjedhjeve të 17 dhjetori në Serbi

Edhe në qytet në veri të lumit Ibër, por edhe në pjesën jugore të Mitrovicës të shtunën pas mesnatës është dëgjuar një shpërthim.

Dyshimet janë se ishte granatë dore, ndërsa rruga ku shpërtheu ndodhet pothuajse në qendër të Mitrovicës Veriore.

Rasti është konfirmuar nga Policia e Kosovës, ndërsa ende nuk dihet se kush janë autorët.

“Ka pasur shpërthim në veri të Mitrovicës, në rrugën ‘Perandori Dushan’, ka pasur disa dëme në xhamat e një shtëpie, mirëpo jo dëme të tjera. Edhe as në njerëz. Do të thotë shpërthimi ka qenë në rrugë, jo në oborr të ndonjë shtëpie, dhe në këtë mënyrë nuk mund të themi që ka qenë ndonjë cak i përcaktuar më herët. Ndërsa të dyshimtë nuk kemi, Policia është duke zhvilluar hetimet, njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes ndërsa në konsultim me Prokurorin është procedua me ‘shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’”, ka thënë Veton Elshani, zv. drejtor i Policisë Rajonale në Veri.

Kush qëndron prapa këtij sulmi nuk dihet por njohësit e fushës së sigurisë thonë se shkaqet pak a shumë janë të ditura.

“Janë sa për ta mbajtur gjendjen gjallë, pra se janë të interesuar që në veriun e Kosovës të mos ketë qetësi. Mirëpo gjendja faktike tregon se në veriun e Kosovës tashmë vepron dhe operon Policia e Kosovës dhe struktura të tjera të sigurisë”, ka deklaruar njohësi i fushës së sigurisë, Avni Islami për Dukagjinin.

Islami po ashtu deklaron se incidentet e izoluara në komunat veriore përdoren edhe për interesa të brendshme politike në Serbi.

“Partia e Vuçiqit, pasardhësit të Millosheviqit përpiqet që përmes nacionalizimit të fitojë prapë vota dhe ta fitojë pushtetin. Dhe të tregojë se kinse gjendja në veriun e Kosovës, nuk është e mirë dhe kinse atje serbët janë jo të trajtuar si duhet nga ana e shtetit të Kosovës”, vijon ai.

Saktësisht një javë më parë pothuajse në të njëjtën kohë janë dëgjuar detonime apo shpërthime në qendër të qytetit, por të cilat nuk kanë shkaktuar dëme e as të lënduar.