Policia dhe Prokuroria japin detaje të reja rreth grabitjes në Suharekë

Policia dhe Prokuroria japin detaje të reja rreth grabitjes në Suharekë

Kronika November 22, 2023 - 20:39

Pak orë pas grabitjes së dyqanit të argjendarisë dhe plagosjes e lëndimit të dy zyrtarëve policor në Suharekë, Policia dhe Prokuroria kanë dhënë detaje nga kjo ngjarje që ka tronditur qytetarët e kësaj komune.

Admir Shala, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prizren, ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët në mënyrë që të bëhet identifikimi i grabitësve, të cilët kanë arritur të vjedhin një sasi të konsiderueshme të arit.

“U kërkojmë qytetarëve që sado pak informacion që të kenë ta ndajnë me Policinë në mënyrë që të arrijmë t’i kapim kryerësit e kësaj vepre dhe t’i sjellim para drejtësisë”, ka thënë ai për RTK-në.

Ndërkaq Faton Alija, komandanti i Policisë në Prizren, ka treguar për lëndimet që kanë pësuar dy zyrtarët policorë.

“Të dyshuarit kanë gjuajtur me armë zjarri në drejtim të veturës së policisë. Një zyrtar është plagosur në këmbë, por është jashtë rrezikut për jetë. Zyrtari tjetër policorë ka shkëmbyer zjarr me të dyshuarit dhe ka marrë lëndime në kraharor, jo me armë zjarri, por lëndime të shkaktuara si pasojë e këtij incidenti. Po ashtu, është dëmtuar edhe vetura e policisë. Ndërkaq, pronari apo punëtori që ka qenë në argjendari nuk është lënduar”, ka deklaruar Alija.