Rreth 250 mijë euro konsiderohet të jetë vlera e arit të grabitur në argjendarinë në Suharekë

Rreth 250 mijë euro konsiderohet të jetë vlera e arit të grabitur në argjendarinë në Suharekë

Kronika November 22, 2023 - 20:25

Një grabitje e armatosur ka ndodhur pasditen e së mërkurës në një argjendari në Suharekë, ku për pasojë është plagosur një polic dhe një tjetër është lënduar.

Me maska në fytyrë e të armatosur me kallashnikov, katër persona pasditen e së mërkurës kanë kryer grabitje në një argjendari në Suharekë, ku për pasojë është plagosur një polic dhe një tjetër është lënduar.

Vlera e dëmit nga plaçkitja e armatosur në argjendarinë në Suharekë sot është rreth 250 mijë euro.

Këtë e bëri të ditur Ervehe Gashi, prokurore në Prokurorinë Themelore të Prizrenit.

“Nuk është bërë vlerësim zyrtar i shumës së grabitur në argjendari. Në bazë të dhënave të para të marra nga pronari i biznesit të grabitur shuma mund të jetë rreth 250 mijë euro”, ka deklaruar Gashi për Telegrafin.

Një zyrtar i Policisë së Kosovës është plagosur, teksa patrulla me të cilën ishte iu përgjigj informacioneve për një grabitje që ishte duke u zhvilluar në një argjendari në Suharekë.

Zëdhënësi i Policisë së Prizrenit, Vesel Gashi, tha se polici i plagosur ka marrë tretman mjekësor dhe është jashtë rrezikut për jetë.

Grabitja në argjendarinë në Suharekë u raportua në polici në orën 15:45.

“Sapo kemi marrë informacionin, patrulla më e afërt policore është nisur në drejtim të vendit të ngjarjes. Kur ka mbërritur në vendin e ngjarjes, katër të dyshuar të armatosur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë. Një prej zyrtarëve policorë është plagosur, i cili është dërguar për tretman policor dhe është jashtë rrezikut për jetë”, tha Gashi.

Ai tha se katër të dyshuarit, që janë të armatosur, janë në arrati pasi kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes me një automjet të pasagjerëve.

Policia tha se po vazhdon operacionet e saj për kapjen e të dyshuarve për këtë rast.