Bytyqi thotë se Policia iu përgjigj me kohë plaçkitjes në Suharekë

Bytyqi thotë se Policia iu përgjigj me kohë plaçkitjes në Suharekë

Kronika November 22, 2023 - 18:15

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Prizren, Shaqir Bytyqi, ka thënë se prestarët e policisë i janë përgjigjur me kohë plaçkitjes në argjendari në Suharekë.

Ai ka shtuar se Policia është duke mbledhur prova për identifikimin e personave të përfshirë në këtë rast.

“Rreth orës 15:45 është raportuar për një grabitje në Suharekë. Patrulla më e afërt ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe me të shkuar grabitësit kanë hapur zjarr ndaj Policisë. Si pasojë një polic ka mbetur i lënduar i cili është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Bytyqi për Klan Kosovën.

Sipas tij, katër plaçkitësit janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë të pasagjerëve.

“Identifikimi i tyre është i vështirë. Hetuesit janë duke mbledhur prova dhe do të mundohemi që sa më shpejt t’i identifikojmë këta persona dhe t’i arrestojmë”, ka shtuar ai.

“Policia e Kosovës i është përgjigjur me kohë dhe ata kanë arritur në vendin e ngjarjes gjatë kohës sa ka qenë duke ndodhur grabitja”, ka thënë ai më tej.

Tutje, Bytyqi ka treguar se polici është plagosur në këmbë dhe se është jashtë rrezikut për jetë.

"Polici i plagosur ka lëndime në këmbë. Zyrtarët tjerë janë në gjendje të mirë shëndetësore".

“Në rajonin e Prizrenit nuk kemi pasur raste të shpeshta. Dy grabitje të mëhershme që kanë ndodhur, të dyshuarit janë identifikuar dhe janë arrestuar”, ka thënë Shaqir Bytyqi.