Edhe dy muaj paraburgim ndaj “Llune”-s, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it
Foto: Laura Hasani

Edhe dy muaj paraburgim ndaj “Llune”-s, i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it

Kronika November 21, 2023 - 17:18

Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Millun Millenkoviq, i njohur si "Llune", i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it.

Në përgjigjen e gjykatës dhënë për “Betimi për Drejtësi”, thuhet se të dyshuarit "Llune" masa e paraburgimit i është vazhduar deri më 12 janar 2023.

“Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti Special, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me numër PPS.nr.103/22, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M edhe për dy muaj, gjykata ka marr aktvendimin me numër PPPS.nr.63/22 të datës 10.11.2023, me të cilën është aprovuar kërkesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M deri me datën 12.01.2024”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.

Ndryshe, Millenkoviq-Llune është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Sulmi terrorist” që kishte ndodhur ndaj zyrave të Komisionit Komunal të zgjedhjeve-KKZ në dhjetor të vitit të kaluar, në të cilën ngjarje dyshohet se është i përfshirë edhe ish-zyrtari policor i Kosovës, Dejan Pantiq.

Po ashtu, Milenkoviq-Llune dyshohet edhe për veprat penale tjera të ndërmarra ndaj ushtarëve të KFOR-it, ku për këto dyshime Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke mbledhur prova dhe dëshmi që e implikojnë të njëjtit edhe në kryerjen e veprave tjera penale.