Gjendet një veturë e braktisur në veri, Policia tregon çfarë gjeti në të [foto]

Gjendet një veturë e braktisur në veri, Policia tregon çfarë gjeti në të [foto]

Kronika November 21, 2023 - 12:34

Policia e Kosovës në dy raste të ndara konfiskon mallra të kontrabanduara në vlerë të konsiderueshme, rasti i parë ka ndodhur në Viti, ndërsa i dyti në veri, ku mallra të kontrabanduara janë gjetur në një veturë të braktisur.

Policia e Kosovës ka njoftuar se njësitet e Task-Forcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës në Viti dhe Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NjNSH) në Jarinjë, në zbatim të masave për parandalimin dhe luftimin e paligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren, të cilat kanë rezultuar me gjetjen e dy automjeteve të ngarkuara me mall të kontrabanduar.

Në rastin e parë, në rajonin e lindjes, më datën 20.11.2023 është vërejtur një automjet i dyshuar pa targa, i cili po lëvizte në rrugën Kabash – Smirë - Viti, i cili përkundër urdhrave të zyrtarëve policorë për ndalim ka tentuar të largohet, ku gjatë ikjes ka shkaktuar aksident trafiku me njërën nga veturat zyrtare të PK-së dhe si përfundim është ndaluar nga zyrtarët policorë.

Të dyshuarit mashkull kosovar me iniciale M. M. gjatë kontrollimit të mjetit që e drejtonte i janë gjetur mallra të ngarkuara në vlerë tregu mbi 25.000 euro, mallra të cilat dyshohet se janë kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV – RKS, e që janë si në vijim:

• Poça elektrikë – 7100 copë,

• Rrush i terur rreth 300 kg,

• Arra të qëruara rreth 1040 kg,

• Arra indiane rreth 200 kg,

• Tekstil jakne 158 copë,

• Çanta krahu për femra 55 copë,

• Jelek - mont 25 copë,

• Çorape 6 palë dhe

• 1 palë këpucë për femra.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent në Gjilan i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa malli dhe automjeti i përfshirë në rast dërgohen në terminalin doganor Dheu i Bardhë.

Po ashtu në të njëjtën datë, në rajonin e veriut, gjatë një patrullimi nga NJNSH në Jarinjë është gjetur një veturë e braktisur në fshatin Jellakce, ku e njëjta po ashtu ishte pa targa, në të cilën ndodheshin mallrat e kontrabanduara (pijet alkoolike dhe të gazuara).

“Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, është bërë tërheqja e mjetit i cili është dërguar në terminalin doganor Mitrovicë, në ndërkohë që janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore, për procedurat e mëtejme hetimore”, thuhet në njoftim. /Zëri