Një muaj burgim efektiv për burrin që kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi
Foto: Laura Hasani

Një muaj burgim efektiv për burrin që kërcënoi deputeten Musliu-Shoshi

Kronika November 16, 2023 - 10:13

30 ditë burgim është dënimi që Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka shqiptuar Afrim Bajramit, i akuzuar për kanosjen e deputetes, Ariana Musliu-Shoshi.

Shpallja e aktgjykimi është bërë të enjten nga gjykatësi i rastit Sabit Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit Bajrami do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 28 korrik 2023 deri më 27 gusht 2023.

Ndërkaq, e dëmtuara deputetja Ariana Musliu-Shoshi është udhëzuar në kontest të rregullt juridiko-civil për realizimin e kërkesës pasurore.

Po ashtu, i akuzuari është obliguar që t’i paguajë shpenzimet procedurale prej 20 eurove dhe 20 euro për Fondin e Kompensimit të viktimave.

Ndryshe, për shkak të një gabimi teknik Apeli kishte kthyer në rigjykim rastin ndaj të akuzuarit Bajrami.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 korrik 2023 kishte dënuar të akuzuarin Afrim Bajrami me 30 ditë burgim për veprat penale “Kanosja” nga Neni 181, par. 3, lidhur me par. 2 dhe “Dhunë në familje”, par. 3, lidhur me Nenin 77 të KPRK-së.

Mirëpo, Gjykata e Apelit më 12 shtator 2023 e kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë duke e kthyer çështjen në rigjykimin me arsyetimin se aktgjykimi përfshinte shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nuk ishte i përpiluar sipas ligjit dhe se dispozitivi i të njëjtit ishte i paqartë.

Në aktgjykimin e Gjykatës së Apelit po ashtu thuhej se e gjykata e shkallës së parë e kishte tejkaluar akuzën kur të akuzuarit Afrim Bajrami përveç veprës penale “Kanosja”, e kishte shpallur fajtor edhe për veprën penale “Dhuna në familje”, ku në këtë rast gjykata e shkallës së parë e kishte dënuar të njëjtin për një vepër penale që nuk kishte qenë i akuzuar.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 29 korrik 2023, ekziston dyshim i arsyeshëm se i akuzuari Bajrami më 2 maj 2023, përmes rrjetit social Facebook, me dashje dhe me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht të dëmtuarën – deputeten e Kuvendit të Kosovës Ariana Musliu-Shoshi për shkak të detyrës së saj.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari nga një profil në rrjetin social Facebook me emrin “kaka. kaka”, ka kanosur deputeten me këto fjalë: “Oj gjak shkine sa të vijë ne pushim edhe es muj o me sakic ka met masakrue me gjithe familjen 1000 perqindë kam met pre për shkin cetnike ata Allah ta q**** qe te ka martue ty shko bane ADN e gjon babën qetnik qe te ka pjell ta q**** token e nanes qe te man ty se qifti yt ni milion qetnika i qet oj shpijune, shpijune serbo ruse Allahu te kallt ne familjen tone ku te dhem mas shumti mori prostitut kralave se ti nuk je votue vorin e nones ta q**** me pas pak ftyre nuk ban kështu 16 mij i vrau shkau e ti i përkrah hec për serbi token e nanes ta q**** edhe dy muj i ke jete midis Prishtinës ka met masakrue p***** te vraft gjaku i grave i fëmijëve te dëshmorëve” me çka tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe pasigurisë për jetë”.

Me këtë i akuzuari Bajrami ngarkohet se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga Neni 181, par. 3, lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së.