Arrestohen dy kosovar për disa vjedhje të rënda të kryera në Austri – iu sekuestrohen automjete, fishekë e stoli ari
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona të dyshuar për disa vjedhje të rënda, të cilat kanë ndodhur në Austri.
Sipas njoftimit të Policisë , rastet kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore (dhjetor 2022 – janar 2023).
“Puna e hetuesve rajonal është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative në koordinim me Prokurorinë, Gjykatën themelore dhe hetuesit nga Republika e Austrisë, kanë arrestuar dy personat e dyshuar”, thuhet në komunikatën për media.
Të arrestuarit janë L.B, 31 vjeç, dhe I.V, mashkull 27 vjeç, shtetas të Republikës së Kosovës.
Pjesë e aksioneve bëhet e ditur se ka qenë edhe kontrolli i katër lokacioneve, ku nga hetuesit janë gjetur dhe sekuestruar stoli ari, 156 fishekë dhe dy automjete.
“Personat e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili tash më është i identifikuar”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri