Arrestohen të dyshuarit që rrëmbyen dhe rrahën prishtinasin, u sekuestrohen telefoni dhe vetura që ia vodhën viktimës
Policia e Kosovës ka arrestuar dy të dyshuar për rrëmbimin dhe rrahjen e një personi në Prishtinë, rast i cili ka ndodhur të dielën.
Policia përmes njoftimit ka bërë të ditur se të dyshuarit A.K., 22-vjeçar dhe A.P., 20-vjeçar, janë dërguar në mbajtje, pasi dyshohen për veprat “Privim i kundërligjshëm nga liria”, “Lëndim trupor” dhe “Vetëgjyqësi”, raporton Zeri.info.
“Rasti është raportuar më 12.11.2023, nga ankuesi (mashkull), i cili është rrëmbyer dhe dërguar në një lokacion, ku nën kërcënimin e armës është sulmuar fizikisht nga personat e dyshuar, si dhe i janë marrë një veturë dhe një telefon. Personat e dyshuar, A.K., mashkull 22 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe A.P., mashkull 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu, sipas njoftimit, thuhet se lidhur me rastin janë kryer bastisje në tri lokacione, ku përveç provave që ndërlidhen me rastin, është gjetur dhe sekuestruar pushkë ajrore, thikë, telefon (i është kthyer ankuesit) dhe veturë ( i është kthyer ankuesit).
Gjithashtu nga Policia është sekuestruar edhe automjeti i të dyshuarve, i cili është i përfshirë në rast.
Aktualisht hetuesit policorë janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar, i cili është identifikuar.