Arrestohet personi që tentoi të fuste ilegalisht në Kosovë proteina në vlerë prej 18 mijë eurove
Një rast i kontrabandës është parandaluar nga Policia dhe Dogana e Kosovës.
Gjatë ditës së djeshme, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën kanë arritur të arrestojnë një person në Viti, pasi dyshohet se ka futur mall në mënyrë ilegale nga Maqedonia e Veriut në Kosovë, vlera e të cilit arrin 18 mijë euro.
“Më 13.11.2023, Njësia e Task-Forcës – Lindje gjatë zbatimit të detyrave sipas autorizimeve policore për parandalimin, identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar, kryerës të veprave penale, ka ndaluar një automjet, të cilin e drejtonte i dyshuari mashkull kosovar me iniciale R. T., tek i cili gjatë kontrollimit të mjetit janë gjetur të ngarkuara 43 paketa me mallra - suplemente (proteina) të llojeve të ndryshme me peshë rreth 210 kg, me vlerë sipas tregut rreth 18.000 euro, mall për të cilin nuk kishte asnjë dokument mbi prejardhjen e tij, i cili dyshohet se ishte kontrabanduar përmes rrugëve ilegale nga RMV-RKS”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po ashtu bëhet e ditur se lidhur me rastin është kryer edhe kontrolli në një lokacion tjetër të dyshuar, por nuk është gjetur sasi e mallrave të tjera.
“Të gjitha veprimet rreth rastit janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, ku me urdhër të prokurorit kompetent malli dhe automjeti janë dërguar në terminalin doganor-Dheu i Bardhë dhe rasti trajtohet tutje në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri