Vrasja e vitit 2021 në Gjilan, 66 vjet burgim për Lirim Jakupin dhe dy të tjerë

Vrasja e vitit 2021 në Gjilan, 66 vjet burgim për Lirim Jakupin dhe dy të tjerë

Kronika November 13, 2023 - 13:53

Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq janë shpallur fajtorë për vrasjen e 12 shtatorit të vitit 2021 në Gjilan.

Jakupi e Ismajloviqi u dënuan pasi Gjykata e Gjilanit i gjeti fajtorë për vrasjen e Bakush Veselit, i cili ishte daja i Lirim Jakupit.

Lirim Jakupi është dënuar me 27 vjet burgim unik për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje. Kurse Afrim Ismajloviq me 24 vjet burg për vepra të njëjta.

Kurse Faton Osmani është dënuar me 15 vjet burg për dhënie të ndihmës.

Shpallja e vendimit është bërë sot në Gjykatën e Gjilanit, raporton Nacionale.

Lirim Jakupi kishte mohuar fajësinë, duke thënë se “po mbahet në burg veç pse i ka duart e gjata”. Edhe mbrojtja në fjalët përfundimtare kishte kundërshtuar aktakuzën.

Detajet e aktakuzës

Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq akuzohen se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42 minuta, në kafenenë “Cafe Bar “Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitje paraprake, me dashje dhe në bashkëveprim, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin B.V., nga Gjilani dhe kanë vënë në rrezik me dashje jetën e disa personave tjerë që kanë qenë në kafene dhe afërsi të tani të ndjerit. Aktakuza thotë se bashkërisht kanë ardhur me veturën e markës “Audi A3”, të cilën po e drejtonte tani i pandehuri i tretë Faton Osmani, ndalen tek marketi “Korqa” dhe nga automjeti dalin dy të pandehurit të armatosur me armë dhe nisen në drejtim të kafenesë dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen në shpejtësi tani të ndjerit B.V., i cili ishte në shoqëri edhe me dy persona të tjerë ulur në karrige dhe po bisedonin, dhe me atë rast aty me shpejtësi arrijnë dy të pandehurit me armë në dorë dhe nga distanca prej rreth një metër, i pari shtie i pandehuri me pistoletë të kalibrit 9 mm, duke i zbrazur tetë fishekë dhe në vazhdim edhe i pandehuri tjetër, me revole të kalibrit 7.65 mm, duke e goditur me gjashtë plumba, në pjesë vitale të trupit.

Sipas aktit akuzues, tani i ndjeri nuk iu mbijeton plagëve dhe vdes menjëherë në vendin e ngjarjes, kurse të pandehurit pas kryerjes së vrasjes largohen me shpejtësi, shkojnë te vetura që ishte duke i pritur dhe nga aty ikin në drejtim të lagjes “Arbëria”, ku i pandehuri Lirim Jakupi ka shtëpinë e vet.

Me këtë, Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga Neni 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Kurse sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, i pandehuri Faton Osmani akuzohet se më 12 shtator 2021, rreth orës 19:42, në kafenenë “Cafe Bar Premium” në rrugën “Villiam Shekspir” në Gjilan, pas një përgatitjeje paraprake, me vetëdije të plotë dhe dashje ka ndihmuar të pandehurit Lirim Jakupi dhe Afrim Ismajloviq, në kryerjen e vrasjes së rëndë të tani të ndjerit B.V.