Shtohen rastet e kontrabandës nga Serbia, vlerësohet efikasiteti i Policisë së Kosovës
Foto: Zëri / Ilustrim

Shtohen rastet e kontrabandës nga Serbia, vlerësohet efikasiteti i Policisë së Kosovës

Kronika November 12, 2023 - 23:35

Vetëm brenda pak ditësh, Policia e Kosovës ka arritur të konfiskoj sasi të konsiderueshme mallrash që kanë hyrë nga Serbia në Kosovë në mënyrë ilegale. Për njohësit fushës së sigurisë dhe ata të ekonomisë, kjo tregon efikasitetin dhe punën e mirë të Policisë së Kosovës.

Nuk janë pamje të ndonjë magazine të mallrave, por këto pije një ditë më parë hynë ilegalisht në territorin e Kosovës.

Mirëpo, ato u konfiskuan nga Policia në bashkëpunim me Doganën pasi u futën nga Serbia përmes rrugëve malore në fshatin Muçibabë.

E ngjashëm si në lindje, dy ditë më parë ndodhi edhe në veri të vendit.

Policia e Kosovës, gjatë së premtes në Zhitkoc të Zveçanit dhe në hyrje të Leposaviqit, konfiskoi një sasi të konsiderueshme të mallrave të kontrabanduara që kryesisht ishin pije alkoolike dhe artikuj ushqimor të brendeve të ndryshme.

Kjo dukuri duket se nuk është shpeshtuar muajve të fundit.

Naim Huruglica që në të kaluarën ka udhëhequr Doganën e Kosovës, thotë se edhe më parë ka pasur raste të ngjashme por që sekuestrimi e intervenimi i institucioneve të Kosovës për parandalimin e tyre, ka qenë pothuajse i pamundur.

“Në kohën kur unë kam qenë pjesë e Doganës së Kosovës ne jemi përballë edhe me periudhën kur ne s’kemi pas fare mbikëqyrje pasi pas shpalljes së pavarësisë dy pika kufitare në atë kohë u sulmuan dhe u dogjën dhe nuk kishim fare prezencë kufitare për më shumë se tri vite”, ka theksuar Huruglica.

Se rastet si këto të kapjes së mallit të kontrabanduar janë pasqyrë e punës dhe shtrirjes së autoritetit të Policisë së Kosovë në këtë pjesë të vendit e thotë edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Drizan Shala.

“Organet e sigurisë tashmë janë fokusuar në luftimin e krimit dhe kontrabandës pasi që përgjatë këtyre muajve kemi pas një shtim të fokusit në ruajtjen e rendit dhe sigurisë dhe tashmë organet po u kthehen punës së tyre të përditshme siç janë lufta e kontrabandës dhe korrupsionit”, ka thënë Shala për Dukagjinin.

Përveç aspektit të sigurisë, dëmet që kjo dukuri i shkakton ekonomisë së vendit vlerësohet se janë goxha të larta.

“Ne të kaluarën është thënë se ka pas dëme nga 30 deri në 50 milionë euro në vit por këto janë statistika të përafërta pasi nuk dihen saktë të plota. Janë humbje të taksave dhe ato mallra që kontrabandohen dalin në treg më lirë se sa mallrat e tjera dhe shpesh herë ato mallra janë ushqimore dhe nuk ushtrohet asnjë kontroll ndaj tyre”, ka deklaruar Naim Huruglica, ish-drejtor i Doganës.

Në mënyrë që të parandalohet kontrabanda, Policia e Kosovës vitin e kaluar kishte mbyllur disa rrugë malore ilegale që lidhnin Kosovën me Serbinë.