Del ekspertiza: 3-vjeçari në Tiranë ndërroi jetë nga doza e anestezisë që iu dha në klinikën dentare
Ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar ditën e sotme shkakun e vdekjes së 3-vjeçarit, Brian Spahiu, i cili shkoi për të kuruar dhëmbët e qumështit tek klinika e dentistes Ina Xhaxho dhe babait të saj anestezistit Roland Xhaxho, ku pak ditë më pas gjeti vdekjen tragjike.
Në trupin e vogëlushit u konstatua një mbetje plagë kirurgjikale si dhe shenja shpimesh mjekësore me ekimoza përreth tyre në lëkurën e ballit, gjoksit, barkut dhe gjymtyrëve me karakteristikat e përshkruara në Akt.
Nga këqyrja e brendshme dhe ekzaminimi histopatologjik u konstatua edema e shprehur e trurit, stazë dhe ekstravazat eritrocitar, ishemi akute miokardi, edeme intersticiale dhe ekstravazat eritrocitar me miokard die perikard, atelektaze e shprehur pulmonare, ekstravazat eritrocitar intersticial me elemente mononukleare, me zona pneumoragjie intersticiale dhe edeme e mushkërive.
Shenjat e shpimeve mjekësore me ekimoza përreth tyre, te vërejtura në trupin e shtetasit Brian Spahiu janë pasojë e manipulimeve mjekësore.
Mësohet se mbetja e vjetër e plagës vërejtur në lëkurën e gjoksit është pasojë e ndërhyrjes kirurgjikale.
Shkaku i vdekjes së vogëlushit ka qenë "Dhënia e lëndës anestetike që ka sjellë vuajtjen qelizore të thellë me mekanizmin e insuficiencës multiorganore të parikthyeshme". /oranews