Tre muaj nga vrasja e 39-vjeçarit në Runik të Skenderajt, të dyshuarit ende nuk janë identifikuar

Tre muaj nga vrasja e 39-vjeçarit në Runik të Skenderajt, të dyshuarit ende nuk janë identifikuar

Kronika November 11, 2023 - 09:39

Kanë kaluar tre muaj që nga 10 gushti 2023, kur kishte ndodhur vrasja e N.L., (39-vjecar) dhe ishin plagosur tre të tjerë në fshatin Runik të Skenderajt, ndërsa të dyshuarit mbeten ende të paidentifikuar.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

“Deri tash, nuk është identifikuar e as arrestuar ndonjë person i dyshuar për këtë rast. Rasti është duke u hetuar nga Prokuroria në koordinim me Policinë”, thuhet në përgjigjen e tij.

Policia e Kosovës kishte njoftuar se një person ka mbetur i vdekur ndërsa tre të tjerë janë plagosur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, shkruan “Betimi për Drejtësi”.

Lajmin e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili kishte thënë se dyshohet se dy persona të maskuar kishin hyrë në kafene, kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt… Nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,  dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur”, kishte konfirmuar Zahiti.