Kërkohet paraburgim për dy të dyshuarat që keqtrajtuan 3-vjeçarin në çerdhen e Fushë-Kosovës
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente ndaj të pandehurave N.M. dhe N.H., për shkak të veprave penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Rasti ka të bëjë me 3-vjeçarin, i cili dyshohet se është keqtrajtuar në çerdhen publike “Gëzimi Ynë” në Fushë-Kosovë, transmeton Zeri.info.
“Ju njoftojmë se pas publikimit të videoincizimit në media dhe portale, mbi dyshimet për keqtrajtim të një fëmije në njërën nga çerdhet në Fushë-Kosovë, prokurori i Shtetit menjëherë ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, si dhe në koordinim me institucionet e tjera relevante janë angazhuar në trajtimin e këtij rasti, ashtu që pas përfundimit të hetimeve preliminare, prokurori i Shtetit ka lëshuar aktvendim mbi ndalimin e personave të lartcekur, në kohëzgjatje prej 48 orësh”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit të Shtetit fëmija është dërguar për t’i përfunduar ekzaminimet e nevojshme mjekoligjore, sipas dispozitave të KPPRK-së, andaj në bazë të rezultateve nga ky raport, dyshohet se të pandehurat duke i keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, me dashje e me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, me forcë e kanë tërhequr për krahësh të dëmtuarin e mitur, në atë mënyrë që i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore. /Zëri