Operacioni “Ulpiana”, pesë të arrestuar e në mesin e tyre edhe një zyrtar policor
Inspektorati Policor i Kosovës është deklaruar për një aksion që ka zhvilluar sot në pesë lokacione, nën dyshimet ndaj disa personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm.
“Sot që nga orët e hershme të mëngjesit Inspektorati Policor i Kosovës (tutje IPK), i mbështetur nga njësi të reagimit të shpejtë të Policisë, ka zbatuar një urdhëresë të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, për kontroll dhe sekuestrim të dëshmive që do të gjenden gjatë kontrollit. Operacioni u zhvillua në pesë (5) lokacione të ndryshme ndaj disa të dyshuarve për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm”.
IPK-ja ka njoftuar se janë arrestuar pesë persona, në mesin e tyre edhe një zyrtar policor.
Gjatë kontrolleve të lokacioneve të ndryshme hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar gjësende të ndryshme, përfshirë: disa telefona mobilë, dy USB, para të gatshme, dy pistoleta etj.
Veprat penale për të cilat dyshohen të dyshuarit janë: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, Neni 414, “Armëmbajtje pa leje” nga Neni 366, “Dhënie ndihme kryesit të veprës penale pas kryerjes së veprës penale” nga Neni 33 dhe “Organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të kundërligjshëm” nga Neni 294 i Kodit Penal të Kosovës.