Goditet për vdekje një këmbësor në Drenas, arrestohet ngasësja e automjetit
Një veturë e ka goditur një person në rrugën “Xhevat Dogani” në Drenas, ku si pasojë e lëndimeve të rënda i njëjti ka vdekur.
Lajmin për Zeri.info e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.
"Sot rreth orës 10:40 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Xhevat Dogani’ - Drenas ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë. Vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor në QKUK”, ka thënë Ahmeti.
Po ashtu, sipas saj, policia ka nisur një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit të përfshirë në aksident është arrestuar. /Zëri