Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për krime lufte në Kosovë

Ngrihet aktakuzë ndaj një personi për krime lufte në Kosovë

Kronika September 15, 2023 - 16:13

Prokuroria Speciale e Kosovës sot ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.K., si i dyshuar për veprën penale “Krime të luftës kundër popullsisë civile” që dyshohet se ka ndodhur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas komunikatës thuhet se i pandehuri në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e gjashtëmbëdhjetë (16) civilë të nacionalitetit shqiptarë, ngjarje kjo e cila ka ndodhur më 8 maj 1999, në fshatin Staradran të komunës së Istogut.

“Kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme. I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë - paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet ndër tjera. /Zëri