Dëshmitari Young: S’kishim detaje konkrete për strukturën e UÇK-së

Dëshmitari Young: S’kishim detaje konkrete për strukturën e UÇK-së

Kronika September 14, 2023 - 15:41

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdoi dëshminë dëshmitari i 25-të, ish-oficeri britanik Douglas Young.

Ai tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës donte të dukej e organizuar, por që kjo ishte larg realitetit, ndërsa ushtarët e saj i përshkroi me ndjesi të fortë kombëtare e patriotike.

"Ata donin të shikoheshin si ushtri e armatosur. Pse thoni që kishin dëshirë të dukeshin të organizuar?”, ka pyetur avokati Geoffrey Roberts.

“Për dy arsye: njëra që UÇK-ja të prezantohej në mënyrën më të mirë të mundshme me organizatat ndërkombëtare. Sa më i mirë të ishte organizimi, aq më efektive do të ishin marrëdhëniet e tyre”, ka thënë dëshmitari Douglas Young.

Dëshmitari u pyet për takimin me Fatmir Limajn, ku dha detaje se fillimisht kishte takuar Skenderin, të udhëzuar nga komandant Drini, dhe i kishte çuar në vendtakim në Trepezë.

Ai tha se në atë takim kishte qenë me qëndrimin se komandant Drini u kishte dhënë qasje te personi në fjalë, por aty kishte kuptuar se kishte të bënte me nivel më të lartë dhe mbi komandant Drinin.

Në seancë të hapur, ish-oficeri i ushtrisë britanike tha se nuk kanë pasur detaje konkrete për strukturën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa përgjigjej në kundër-pyetjet e mbrojtësit të Hashim Thaçit, avokatit Luka Mishetiq.

Tutje, i pyetur nëse sipas tij formacioni më i lartë i UÇK-së nënkuptonte Shtabin e Përgjithshëm, ai u përgjigj me "Po", por pranoi se nuk ka pasur kontakte të mirëfillta me ta.

Dëshmitari u pyet për personin Milaim Mazreku, që në një raport ishte thënë se ishte shok me Komandant Çelikun.

Për të, Young tha se kishte pasur marrëdhënie të mira dhe se e dinte se ka kryer universitetin me “Çelikun”, por që nuk kishte njohuri nëse ata ishin shokë apo jo.

Young tutje tha se përmes Mazrekut janë përçuar mesazhe për përfaqësues lokalë të UÇK-së, por tha se atë më shumë e ka prezantuar si kryetar i Komunës së Malishevës sesa si anëtar i LDK-së.

Ndërsa, në pyetjet e avokatit Ben Emmerson dëshmitari pohoi se funksionet e Misionit Verifikues në Kosovë u rritën pas marrëveshjes për armëpushim, derisa pohoi se MUP-i kishte ende automjete të blinduara dhe kamionë për transportimin e armëve dhe mjeteve të tjera.

Dëshmitari tha se ka pasur edhe incidente të tjera, por masakra e Reçakut ishte shkelja kryesore më e madhe dhe e para e marrëveshjes së armëpushimit.

Ai u pajtua se Reçaku ka qenë pikë kthese në vendosmërinë e ndërkombëtareve që Kosova të mos bëhet një Bosnjë tjetër. /rtk