Arrestohet në Dubai ish-këshilltari i ministres Olta Xhaçka

Arrestohet në Dubai ish-këshilltari i ministres Olta Xhaçka

Kronika September 14, 2023 - 15:05

Është arrestuar në Dubai Amant Josifi, ish-këshilltar politik i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka.

Mësohet se Josifi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet spanjolle për mashtrim me call-center.

Kujtojmë se më 8 dhe 9 nëntor 2022, në bashkëpunim me EUROJUST-in dhe EUROPOL-in, Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit bastisi 6 qendra thirrjesh telefonike në Shqipëri të lidhura me “Milton Group” dhe arrestoi 4 të dyshuar.

Sipas News24, nga hetimet rezultoi se këto qendra janë në pronësi të tre kompanive të lidhura me biznesmenin Amant Josifi, një ish-këshilltar politik i Xhaçkës gjatë kohë që ajo drejtonte Ministrinë e Mbrojtjes.

Por për të arritur deri te emri i Amant Josifit dhe lidhjeve të tij me një nga skemat më të mëdha të mashtrimit telefonik, të njohur si Call Center, policisë spanjolle iu desh të hulumtonte miliona e-mail të përdorur nga kompanitë në zotërim të tij. Sipas dokumenteve gjyqësore, pas tre kompanive kryesore mashtruese qëndron biznesmeni 33-vjeçar, Amant Josifi.

“Nga procedurat hetimore të realizuara në Shqipëri nëpërmjet letër-porosisë së dërguar nga autoritetet spanjolle, janë zbuluar 10 qendra thirrjesh të lidhura me 24 platforma mashtruese të investimeve”, thuhej në dosjen spanjolle.

Për të zbuluar lidhjet midis Call Center-ave në Shqipëri dhe faqeve mashtruese të investimeve të “Group”, hetuesit spanjollë kanë analizuar 3 milionë e-mail të dërguara nëpërmjet dhjetëra platformash të ndryshme, ku evidentohet ndërlidhja e platformave call center me kompanitë e tjera të lidhura me organizatën kriminale.