Lirohen në procedurë të rregullt tre zyrtarët komunalë që u arrestuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Lirohen në procedurë të rregullt tre zyrtarët komunalë që u arrestuan nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Kronika September 10, 2023 - 14:14

Zyrtari i Komunës së Prishtinës, Fadil Aliu-Hertica, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku dhe një zyrtar tjetër i kësaj qendre, janë liruar në procedurë të rregullt, pasi ishin ndaluar të premten nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

“Ju njoftojmë se gjatë kësaj faze hetimore, Prokurori i Shtetit i ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për mbledhjen e provave personale dhe materiale, si dhe ka vlerësuar që rastin ta hetoj në procedurë të rregullt”, konfirmoi ajo.

Edhe avokati i Aliut, Mahmut Halimi konfirmoi për “Betimi për Drejtësi”, se i mbrojturi i tij është liruar në procedurë të rregullt.

Ndryshe, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë, Vebi Mujku, ka reaguar pasi u ndalua nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në reagimin e tij, Mujku thotë se është i pastër si loti e se ky është tentim i qëllimshëm për njollosje nga indivicë të caktuar, por se fjalën e fundit do ta thotë drejtësia.