Këta janë dy shqiptarët më të kërkuar nga EUROPOL-i [foto]

Këta janë dy shqiptarët më të kërkuar nga EUROPOL-i [foto]

Kronika September 06, 2023 - 10:42

Aleks Burreli, 55 vjeç, nga fshati Suç i Matit dhe Edinjo Pulti, 37 vjeç, nga Shkodra, vijojnë të jenë të vetmit shqiptarë në listën “Most Wanted” të EUROPOL-it.

E përditësuar së fundmi, në këtë listë janë në total 45 persona nga e gjithë Evropa që kërkon për vepra të rënda penale, pjesa më e madhe e tyre për krime kundër personit, vrasje dhe masakra me shumë të vdekur.

Në listë, më përditësimin e fundit janë shtuar disa të huaj që kërkohen për vrasje, si dhe dy shqiptarë.

Aleks Burreli, i cili njihet edhe me emrin Gani, është në kërkim ndërkombëtar nga Qipro për vrasjen e një biznesmeni qipriot, dhe jo vetëm, më 23 qershor 2016.

Në atë kohë 55-vjeçari Burreli hapi zjarr drejt një tavoline në një restorant ku po darkonte biznesmeni Fanos Kalopsidiotis, duke e lënë të vdekur në vend bashkë me 2 persona të tjerë në tavolinë, dhe 2 të tjerë të plagosur. Në të njëjtën ngjarje mbeti i vrarë Jani Vogli, në atë kohë 41 vjeç, bashkëpunëtor i Burrelit.

55-vjeçari ishte i pari që u përfshi në listën “Most Wanted” të EUROPOL-it dhe prej asaj kohe nuk është lokalizuar nga agjencitë partnere.

Një vit më vonë në listë u shtua një tjetër bashkëkombës i tij, Edinjo Pulti. 37-vjeçari shkodran kërkohet të arrestohet nga Luksemburgu për tentativë vrasje. Më 2 gusht 2020 ai u përfshi në një përleshje në Petange.

Disa burra, duke përfshirë një të armatosur me thikë, u përleshën në qendër të qytetit.

Sipas EUROPOL-it, Pulti goditi disa herë me thikë dy persona, njërin prej tyre në bark. Pulti është emër i njohur për drejtësinë shqiptare për një plagosje shumë vite më parë.

Ai u arrestua në 2022-shin në vendin tonë, por për shkak të mungesës së një marrëveshje ekstradimi me Luksemburgun, u la i lirë, duke konsideruar se brenda vendit nuk ka asnjë çështje penale të hapur.

Në listën prej 45 personash që kërkohen nga EUROPOL-i, dy shqiptarët nuk konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, përkundër 17 të tjerëve që konsiderohen shumë të rrezikshëm, prej krimeve monstruoze të kryera ndër vite.

Image