Sveçla për bastisjen e një shtëpie në veri: U përdor për shpërndarje të armatimit te grupet kriminale serbe

Sveçla për bastisjen e një shtëpie në veri: U përdor për shpërndarje të armatimit te grupet kriminale serbe

Kronika September 05, 2023 - 12:44

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje për aksionin e Policisë që u zhvillua këtë të martë në një bazë të armatimit në Zveçan.

Ai ka bërë të ditur se shtëpia ku është gjetur dhe konfiskuar një sasi e armatimit, është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe.

“Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ministri tutje ka thënë se për dy dekada, veriu i Kosovës ka jetuar në ilegalitet, në një rend anormal, ku kanë gjetur strehë organizatat kriminale e kriminelët e financuar nga Beogradi.

“Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm”, ka shkruar ai.

“Deri më tani është zbuluar një sasi e madhe e armatimit, duke përfshirë armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksploziv. Në vendin e ngjarjes, përveç institucioneve të sigurisë, kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it”.

Megjithatë sipas Sveçlës, veriu hap pas hapi po shkon drejt normalitetit.

“Rendi dhe ligji nuk do të cenohet në asnjë cep të Republikës”, përfundoi ai.