Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 48-vjeçarit në Prizren

Kronika September 04, 2023 - 20:38

Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuarin Aziz Gashi, i cili po dyshohet për vrasjen e 48 vjeçarit B.M. më 3 shtator 2023.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar prokurorja e rastit, Ervehe Gashi.

Arrestimi i të dyshuarit erdhi pasi Policia e Kosovës kërkoi ndihmë për kapjen e tij, duke ia publikuar fotografinë.

Ndryshe, prokurorja Ervehe Gashi për “Betimi për Drejtësi” sot ka treguar për veprimet të cilat i ka ndërmarrë, ku tha se janë kryer dy bastisje si dhe veprime të tjera për identifikimin dhe gjetjen e të dyshuarit.

“Po, për të dyshuarin A.G, mbrëmë i kemi bërë dy bastisje nuk kemi mujt me gjet, i kemi dërgu nëpër pika kufitare informata te kerrit edhe informata te personit të dyshuar dhe automjetit , i kemi dërguar të dhënat personale në Airoportin “Adem Jashari”, tha ajo, duke shtuar se lidhur me identifikimin e të dyshuarit do të lëshohet urdhëresë për publikimin e fotos së tij.

“Sot në mëngjes e kam lëshu urdhëresën per autopsi tash po shkoj me lshu urdhëresën për publikimin e fotos së tij”, ka thënë prokurorja Gashi.

Ndryshe, sipas raportit 24-orësh të Policisë, dyshohet se i dyshuari ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të viktimës nga automjeti në lëvizje dhe ka ikur nga vendi i ngjarjes. Aty thuhet se i dyshuari dhe viktima kishin pasur një mosmarrëveshje e cila kishte sjellë deri tek rasti tragjik.

“Dyshohet se i dyshuari mashkull kosovar pas një mosmarrëveshje që kishte pasur me viktimën mashkull kosovar, ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tij. Si pasojë e plagëve të marra viktima ka ndërruar jetë”, thuhet në raport.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori kujdestar dhe ekipi mjekësor i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës.

“Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërsa njësitet policore kanë kryer disa bastisje në lokacione të ndryshme në kërkim të vendndodhjes së dyshuarit i cili është në kërkim policor. Lidhur me rastin janë duke u kryer hetime intensive”, ka njoftuar policia.