Mbrojtja kërkon që “Burdushit” t’i shtyhet vuajtja e dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj

Mbrojtja kërkon që “Burdushit” t’i shtyhet vuajtja e dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj

Kronika September 04, 2023 - 17:31

Mbrojtja e Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi”, ka kërkuar shtyrjen e vuajtjes së dënimit me burg për 6 deri në 12 muaj.

Kërkesa e avokatëve drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë arsyetohet me gjendjen e tij shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Andaj, duke u bazuar në raportet mjekësore, Burdushi ka lutur Gjykatën Themelore në Prishtinë që t’ia shtyjë ekzekutimin e dënimit për së paku 6 muaj, derisa ai të marrë vetën dhe të bëhet më mirë me shëndet.

Hysri Peqani më 10  janar 2023 ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, 42 mijë euro gjobë dhe ishte urdhëruar konfiskimi i pasurisë në vlerë mbi 2 milionë euro.Këtë vendim, Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar më 5 qershor 2023 për veprat penale: “Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Mashtrim”, “Shpëlarje parash” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Procesi gjyqësor ndaj Burdushit ka zgjatur 2 vjet e 2 muaj, ndërsa aktakuza ishte ngritur më 15 shtator 2020.

Në çështjen penale ndaj tij ishin dëgjuar një sërë dëshmitarësh, dëshmitë e të cilëve ishin ndaluar të publikoheshin deri në përfundimin e gjykimit.