23-vjeçari në Vlorë vret babanë me lëndë plasëse

23-vjeçari në Vlorë vret babanë me lëndë plasëse

Kronika September 02, 2023 - 22:05

23-vjeçari Mato Glluçaj që shihni në këtë video, u arrestua nga Policia e Vlorës pasi dyshohet se vrau babanë e tij, Durmish Glluçaj, 56 vjeç me lëndë plasëse.

Ngjarja e cila fillimisht u mendua të ishte aksidentale nga shpërthimi i një bombole, u regjistrua në Selenicë të Vlorës paraditen e së Premtes. Sipas policisë, i riu vendosi lëndën plasëse në sobën me gaz e cila ishte në oborrin e banesës.

Hetimet treguan se lënda plasëse është shpërthyer me anë të një mekanizmi elektrik, i cili është sekuestruar.

Ndërkohë, Policia tha zyrtarisht se shkak për ngjarjen dyshohet të jetë bërë dhuna e vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij.

Gjatë kontrolleve në kuadër të hetimeve, hetuesit gjetën përveç mekanizmit elektrik të shpërthimit, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol, 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari si dhe disa mjete të tjera të paligjshme. Ngjarja u denoncua fillimisht në polici nga fqinjët e 56-vjeçarit të cilët lajmëruan sallën operative se në banesën e tij kishte ndodhur një shpërthim.

Verifikimet e grupit xhenier treguan se shpërthimi nuk kishte ardhur nga bombola e gazit, por nga lëndë shpërthyese./tvklan