23-vjeçari nga Vlora vret babanë me eksploziv
Foto: Screenshot

23-vjeçari nga Vlora vret babanë me eksploziv

Kronika September 02, 2023 - 14:30

Policia e Shtetit ka njoftuar se ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur në Selenicë të premten, ku një 23-vjeçar ka vrarë babanë e tij duke i vendosur eksploziv në sobën me gaz.Policia bën me dije se fillimisht u dyshua se ngjarja ishte aksidentale, por nga hetimet e thelluara rezultoi se 56-vjeçari humbi jetën pas shpërthimit të lëndës plasëse që ishte vendosur në sobën me gaz, nga i biri i tij.

Sipas policisë, 23-vjeçari dyshohet se për shkak të dhunës së vazhdueshme që babai ka ushtruar ndaj tij, ka vendosur lëndë plasëse në sobën me gaz, në oborrin e banesës, nga shpërthimi i së cilës humbi jetën 56-vjeçari.

“Ndërkohë në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: mekanizmi elektrik me të cilin është realizuar shpërthimi, 25 granata dore difensive, 37 kallëpe me lëndë plasëse tritol (me peshë 400 gr. secila), 43 kapsolla detonatore, 5 ndezësa granatash, 1 armë zjari pushkë, 1 celular, 2 thika, 310 fishekë luftarakë, 12 krehra për armë zjarri, 2 radio marrëse-dhënëse, kapuça dhe veshje për mbulimin e fytyrës dhe mjete për punime elektrike me ngjitje”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.