Dy muaj të tjerë paraburgim për personin që dyshohet se vrau të dashurën e tij argjentinase në Kosovë

Dy muaj të tjerë paraburgim për personin që dyshohet se vrau të dashurën e tij argjentinase në Kosovë

Kronika September 01, 2023 - 17:11

Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka vazhduar edhe për dy muaj masën e paraburgimit personit që dyshohet se vrau në Kosovë të dashurën e tij, shtetase argjentinase.Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e këtij institucioni, Mirlinda Gashi.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.N, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit E.N, i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, ka thënë ajo.Shtetasja argjentinase, Maria Clara Udangaray, ka vdekur më 2 gusht pasi ka rënë nga kati i gjashtë i një hoteli në Fushë Kosovë derisa ishte me të dashurin e saj, Endrit Nika.Ky i fundit me shtetësi zvicerane, është arrestuar nga autoritetet vendore si i dyshuar për rastin.

Ndërkohë që kufoma e 27-vjeçares ende gjendet në Kosovë dhe nuk është dërguar te familja në Argjentinë.

Facundo Urdangaray, babai i Maria Clara Urdangaray, ditë më parë ka dhënë detaje të reja për ecurinë e hetimeve dhe gjithashtu ka thënë se familja e saj ende po lufton për të riatdhesuar trupin e të resë.

Ai ka treguar se mjekësia ligjore ka gjetur lëndime që nuk përputhen me rënien nga lartësia, pra ato ishin të mëparshme.

Edhe pse ende nevojitet më shumë ekspertizë, kjo do ta komplikonte Endrit Nikën, të dashurin e saj zviceran nga Kosova, pasi rasti po hetohet si një femicid i mundshëm.“Ata kanë gjetur shenja në trupin e vajzës sime se ka pasur lëndime të mëparshme. Mavijosje në krahët e saj. Kur një person bie nga një lartësi e tillë, ai ka lëndime të caktuara, por nëse ju shtrëngojnë fort krahët, ato lëndime nuk janë prej rënies,” ka shpjeguar Urdangaray për Radio 221 në Argjentinë.

Nga ana tjetër, babai i së resë ka insistuar në kërkesën e tij që – pas ekspertizës përkatëse – të riatdhesojnë trupin e Klarës.

Përmes Facebookut, prindërit e Marias kanë filluar një organizim për ta bërë të mundur transportimin e trupit të vajzës së vdekur nga Kosova në Argjentinë.

Facundo Urdangaray dhe Magdalena Delmonte, prindërit e viktimës, publikuan thirrjen në Facebook dhe kërkuan ndihmë për të sjellë eshtrat e vajzës së tyre në vendlindje. Në total familja Urdangaray duhet të mbledh mbi 30 mijë euro.