“Shpërndarësi 3”, Policia sekuestron drogë, vetura, para dhe arreston katër persona në Gjilan

“Shpërndarësi 3”, Policia sekuestron drogë, vetura, para dhe arreston katër persona në Gjilan

Kronika June 06, 2023 - 13:40

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar një sasi të substancave narkotike në rajonin e Gjilanit si dhe ka arrestuar katër persona.

Në njoftim thuhet se, hetuesit policorë nga Njësia e Gjilanit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN), në bashkëpunim me Njësinë e DHTN Prishtinë dhe njësi tjera policore (NjSO e K9), kanë zbatuar një plan operativ të koduar ‘Shpërndarësi 3’.

“Operacioni policor është hartuar dhe zbatuar me qëllim të luftimit të trafikimit me narkotik në rajonin e Gjilanit. Kështu, policia në koordinim me organet e drejtësisë, ka kryer kontrolle në tri lokacione. Lokacionet e kontrolluara janë pronë e të dyshuarve: S.L., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1981), R.R., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1989), A.R., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1995) dhe K.L., (mashkull kosovar, viti i lindjes 1994)”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar: 100.2 gramë substancë që dyshohet të jetë kokainë, dy vetura, 2270 euro dhe 30 franga zvicerane.

Ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge’.

Të dyshuarit janë intervistuar dhe me aktvendim nga prokuroria janë dërguar në mbajtje deri në 48 orë.

Image

Image