Imami i xhamisë në Miradi të Epërme thotë se u sulmua fizikisht nga persona të panjohur

Imami i xhamisë në Miradi të Epërme thotë se u sulmua fizikisht nga persona të panjohur

Kronika April 01, 2023 - 23:59

Imami i xhamisë në Miradi të Epërme, Ali Ismaili ka thënë se disa persona të panjohur e kanë sulmuar fizikisht.

Ai thotë se këta persona dolën nga një veturë pa tabela dhe se pretendon që këtij sulmi i kanë paraprirë edhe kërcënime të shumta, raporton Zeri.info.

“Para disa minutave, pasi përfundoi namazi i Teravive në Miradi të Epërme, aty ku jam edhe Imam i xhamisë në dalje të fshatit u sulmova fizikisht nga disa persona të panjohur, nga një veturë pikap pa tabela. Siç duket kërcënimet e mëhershme nuk paskan marrë fund dhe përveç kërcënimeve, tani dikush ka vendosur që t'a konkretizojnë edhe me sulme fizike”, shkroi ai në Facebook.

Ismaili u ka bërë thirrje organeve të rendit që ta hetojnë këtë rast, duke thënë se nuk ndihet i sigurtë dhe se dhuna mund të avancojë.

“Unë nga pozita e Kryesuesit të Kuvendit të Komunës dhe nga pozita e Imamit të Xhamisë në Miradi të Epërme, nuk i kam borgj askujt dhe gjithmonë punën time e kam kryer dhe do t'a kryej me ndershmëri dhe përgjegjësi të plotë. Sulmet dhe kërcënimet e tilla nuk më frikësojnë dhe nuk më ndalin në kryerjen e obligimeve të mia karshi qytetarëve”, shkroi ai ndër të tjera. /Zëri