Tri vrasje “misterioze” ndodhën këtë vit në Kosovë, por ende asnjë i arrestuar

Tri vrasje “misterioze” ndodhën këtë vit në Kosovë, por ende asnjë i arrestuar

Kronika April 01, 2023 - 23:15

Viti 2023 në Kosovë nisi me një vrasje. Më 10 janar, një 65-vjeçar me inicialet N.G. u vra brenda Shoqatës së të Shurdhërve në Mitrovicë, ku ishte anëtar.

Ndonëse kanë kaluar gati tre muaj, kjo vrasje vazhdon të mbetet mister, pasi autori i saj nuk dihet.

Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë në një prononcim për Telegrafin kanë konfirmuar se deri më tani nuk janë identifikuar persona të dyshuar për këtë rast.“Ende nuk ka të arrestuar për këtë rast, por hetimet po vazhdojnë”, tha shkurt zëdhënësi i Prokurorisë, Valon Preteni.

Një ditë pas vrasjes, Prokuroria përmes një njoftimi publik bëri të ditur se ajo ishte e dhunshme dhe se sipas ekspertit mjeko-ligjor që ka dal në vendngjarje, dyshohet se ka ardhur si pasojë e disa goditjeve me një mjet të mprehtë.“Prokurori kujdestar ka dal në vendin e ngjarjes, dhe ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, thuhej në komunikatën për media.

Dy javë më vonë, një tjetër vrasje e rëndë tronditi vendin.

48-vjeçari Nysret Cena u qëllua për vdekje, derisa ndodhej në veturën e tij. Ngjarja ndodhi në magjistralen Ferizaj-Kaçanik, konkretisht në Kaçanik të Vjetër.

Sipas autoriteteve, në automjetin që po e ngiste është shtënë nga afër me kallashnikov, ndërkaq vetura nga e cila dyshohet të jetë shtënë është gjetur e djegur rreth 3 kilometra larg vendit të ngjarjes.

Duke e përshkruar se si ka ndodhur rasti, avokati Arianit Koci tha se kjo është vrasje tipike e llojit të mafiozëve.“Modus operandi tipik i vrasjeve të organizuara mafioze. Vrajë dhe digje veturën me i humbë gjurmët”, shkroi ai në Facebook.

Megjithatë, as për këtë vrasje ende nuk është arrestuar dikush.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, një ditë pas rastit deklaroi për Telegrafin se janë duke vazhduar hetimet intensive për të zbardhur vrasjen.I kontaktuar të enjten, Jashari tha se rasti tashmë i ka kaluar Prokurorisë Speciale, ndërsa nga ky institucion nuk janë përgjigjur në pyetjet e Telegrafit lidhur me vrasjen e 48-vjeçarit.

E një vrasje tjetër, motivi dhe autori i së cilës nuk dihen, ndodhi të dielën e 26 marsit në fshatin Dumnicë e Epërme e Podujevës.

Atje rreth orës 18:00, 58-vjeçari Sali Salihu u gjet i vdekur në afërsi të shtëpisë së tij.Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj, tha për Telegrafin se janë duke u ndërmarrë hetime intensive për zbardhjen e rastit.“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me këtë rast ju njoftojmë se Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë është duke vazhduar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në mënyrë intensive, me qëllim të ndriçimit të rrethanave të këtij akti dhe identifikimit të personave të përfshirë në këtë rast”, u shpreh ajo.