Një muaj paraburgim njërit të dyshuar për vrasjen e rëndë në hotel në lagjen “Arbëria”, për tjetrin refuzohet kërkesa
Foto: Laura Hasani

Një muaj paraburgim njërit të dyshuar për vrasjen e rëndë në hotel në lagjen “Arbëria”, për tjetrin refuzohet kërkesa

Kronika March 21, 2023 - 14:31

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh për Avni Mustafën, i dyshuar për vrasjen e rëndë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë më 18 mars, ndërsa për të dyshuarin Mustafë Mustafa, është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kështu është konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, nga avokati Skender Musa, mbrojtës i të dyshuarit Mustafë Mustafa.

“Sa i përket të mbrojturi tim, Mutafë Mustafa gjykata ka vlerësu se nuk ka dyshim të bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale dhe ka refuzuar në tërësi kërkesën e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit. I njëjti është liruar dhe tash e tutje shohim për procedurat tjera”, tha avokati Musa.

Ndërkaq, për të dyshuarin Avni Mustafën, avokati Musa tha gjykata tha se ia ka caktuar masën e paraburgimit edhe pse sipas tij, i njëjti nga shkresat e lëndës kuptohet se ka vepruar në mbrojte të nevojshme.

Po ashtu ishte raportuar se më 18 mars dy të dyshuarit A.M. dhe M.M. ishin ndaluar, pasi që dyshohen se kanë kryer veprën penale “ Vrasje e rëndë”.

Policia e Kosovës po ashtu kishte njoftuar të shtunën se një person ka vdekur nga plagët e marra me armë zjarri dhe dy të tjerë janë lënduar me mjet të mbrehtë në një hotel në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.