Refuzohet kërkesa për paraburgimin e zyrtarëve të “Ambientit”, të dyshuar për korrupsion

Refuzohet kërkesa për paraburgimin e zyrtarëve të “Ambientit”, të dyshuar për korrupsion

Kronika March 20, 2023 - 15:06

Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të kompanisë “Ambienti”, të cilët ishin arrestuar ditë më parë nën dyshimin për korrupsion dhe vepra të tjera penale.

Lajmin e ka bërë të ditur Gjykata Themelore në Pejë, përmes një njoftimi për media, ku thuhet se: “Gjykata Themelore në Pejë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.M., për shkak të dyshimit për veprat penale ‘Deklarimi i rremë nën betim’, ‘Legalizimi i përmbajtjes së rreme’ dhe ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’ dhe ndaj të pandehurve SH.G., F.A. dhe I.B., për shkak të dyshimit për vepër penale ‘Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar’, si dhe kërkesën për caktim të masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve N.A., D.B. dhe A.J., për shkak të dyshimit për vepër penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”.

Gjykata ndaj të pandehurve A.M., SH.G. dhe F.A. ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, ndërsa ndaj të pandehurve I.B., N.A., D.B. dhe A.J. ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, meqë ka gjetur se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen dhe se është e bindur se me masat e caktuara mund të arrihet qëllimi i shmangies së rrezikut të asgjësimit, ndryshimit të provave, ndikimit në dëshmitarë, si dhe mund të pengohet rreziku i përsëritjes së veprave penale.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.