Vdekja tragjike e kadetit të Policisë, dështon gjykimi shkaku i mungesës së të pandehurve

Vdekja tragjike e kadetit të Policisë, dështon gjykimi shkaku i mungesës së të pandehurve

Kronika March 20, 2023 - 11:33

Më 21 nëntor të vitit 2022 ka vdekur tragjikisht në një aksident trafiku në fshatin Jashanicë të Klinës 30-vjeçari Flordian Shabaj, kadet në Policinë e Kosovës.

Për sot ishte caktuar të mbahej seanca fillestare ndaj Arton e Nezir Duraku (babë e djalë), i pari i akuzuar për “Rrezikim të trafikut publik” dhe “Mosdhënia të ndihmës personit të lënduar në fatkeqësinë e trafikut publik”, ndërsa i dyti për “Mosdhënia të ndihmës”.

Por seanca ka dështuar në mungesë të të pandehurve, tha për gazetën Express babai i Flordianit, Enver Shabaj.

“Seanca filloi në orën 10:00, në orën 10:25 përfundoi. Të pranishëm ishim prokurori, gjyqtari, unë, avokati im, avokatët e të pandehurve si dhe më shumë se 30 persona. Por seanca u shtye për arsye se munguan të pandehurit. Shërbimi Korrektues e ka marrë shkresën më 8 mars për t’i sjellë në seancë por nuk dihen arsyet pse nuk u sollën dhe seanca dështoi”, tha Shabaj.

Ai tha se seanca e radhës u caktua për datën 3 prill. Gjithashtu, kërkoi drejtësi për djalin e tij.

Gazeta Express ka publikuar aktakuzën në të cilën përshkruhen detaje tronditëse se si erdhi deri te vdekja e kadetit të policisë. Sipas Prokurorisë, në ditën kritike 21-vjeçari po drejtonte kamionin pa patentë shoferi, i cili ishte pa regjistrim dhe jo i rregullt teknikisht si dhe duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes me kushtet e rrugës e tejkalon atë nga 50km/h sa ishte e lejuar, në mbi 90km/h. Në kamion në cilësinë e pasagjerit ishte edhe babai i tij, i cili sipas prokurorisë pas aksidentit kishte dalë nga kamioni së bashku me të birin duke iu afruar viktimës, por “nuk i ofrojnë ndihmë dhe largohen nga vendi i ngjarjes, gjersa viktima ndërron jetë”.

55-vjeçari e kishte dëgjuar viktimën duke thënë “oj nonë”, në momentet e fundit të jetës.